Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kolonjë – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni antikanabis i koduar “Radovicka”. Sekuestrohet arsenal me armë zjarri, konkretisht 3 automatik, 1 pushkë dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi i arsenalit të armëve, njëherazi edhe autor i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Radovicka”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 36 vjeç, banues në fshatin Radovickë, Kolonjë. Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e një banese në përdorim të këtij shtetasi, Policia gjeti të kultivuar disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis. Po gjatë operacionit është ushtruar kontroll në banesën e 36-vjeçarit, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh zjarri, konkretisht 3 automatik, 1 pushkë, fishekë luftarakë dhe 3 krehra. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gjirokastër – Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe si rezultat i kontrollit të territorit, vunë në pranga shtetasin Gj. P., 51 vjeç, banues në Delvinë, pasi në vendin e quajtur “Kreshpa”, zonë e pyllëzuar, pronë publike, u gjetën të kultivuara bimë narkotike. Kontrolli i territorit do vijojë pandërprerë, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike. Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Kontrolle të shtuara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Procedohen penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokaleve. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve ndaj subjekteve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijojnë aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, kanë konstatuar dy lokale që kishin vendosur muzikë të lartë, tej normave të lejuara. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit: M. S., 32 vjeç dhe V. L., 45 vjeç, banues në Durrës, DeeJay dhe pronar i një resorti në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, pasi kishin vendosur muzikë të lartë; E. P., 31 vjeç dhe S. L., banues në Durrës, DeeJay dhe menaxher i një hoteli, në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, pasi kishin vendosur muzikë të lartë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Sarandë – Finalizohet operacioni i koduar “Dërmishi”. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në Sarandë. Sekuestrohet edhe një armë zjarri pistoletë. Vihen në pranga 2 shtetas, ndërsa 1 tjetër shpallet në kërkim. Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë Sarandë kanë konstatuar dhe asgjësuar disa bimë kanabis në vendin e quajtur “Dërmish”, Bashkia Finiq. Policia ka vënë në pranga shtetasin S. Ç., 42 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, si dhe ka shpallur në kërkim shtetasin G. O., si autorë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë në afërsi u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë e llojit TT, për të cilën u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi O. Ç., 37 vjeç, banues në Dërmish, Finiq. Materialet i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Kurbin – Evidentohet dhe goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohet edhe një armë gjahu pa leje. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit me dronë dhe me këmbë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në fshatin Goleme, Mamurras, Kurbin, në një pronë publike, disa bimë narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin E. Z., 25 vjeç, banues në Mamurras. Gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjet dhe një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Tiranë – Evidentohet dhe goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në pranga 1 shtetas. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë dhe 5 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Petrela”, në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 40 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe të pyllëzuar në malin mbi Urën e Farkës, Njësia Administrative Petrelë, janë gjetur të mbjellë disa fidanë të dyshuar cannabis sativa. Në afërsi të tyre shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasi S. K., i cili po punonte për hapjen e një grope, e cila ishte e lidhur me tubacionin e vaditjes së fidanëve. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 kanë bërë ekzekutim e vendimit penal, për shtetasin D. B., 47 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata e Apelit Tiranë e kanë dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit D. D., 61 vjeç, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përndjekur, ka kryer veprime të turpshme dhe ka ngacmuar seksualisht një shtetase. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. B., 24 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë personale shtrënguese “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve” dhe është konstatuar jashtë banesës. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Sh., 42 vjeç, pasi në rrugën “Llazar Xhajanka”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prezencë të fëmijës së tyre të mitur. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. K., 21 vjeç, pasi në rrugën “Ali Shefqeti”, u kap në flagrancë duke drejtuar motoçikletën pa lejen përkatëse; R. Ll., 37 vjeç, pasi në rrugën “Dritan Hoxha” u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 74 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 6 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë, 1 në Korcë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Vlorë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 ën Tiranë dhe 1 në Korcë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Shkodër, me 1 autor të arrestuar në flgrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 4 në Vlorë, 1 në Korcë, 2 në Berat dhe 1 në Lezhë dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Vlorë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 2 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Dibër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 ën Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 ën Elbasan dhe 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 NË Fier dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.