OFL, 22 qershor – Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: G. C., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Torinos, Itali, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve”, A. C., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe E. A., banues në Poliçan, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Shijak – Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë kontrolleve evidentohet dhe goditet një tjetër rast i këtij aktiviteti. Arrestohet në flagrancë një 26-vjeçar, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, konstatuan se në një lokal në fshatin Ardhishtë, Shijak, ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi M. R., 26 vjeç, banues në fshatin Ardhishtë, Shijak, administratori i lokalit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një telefon celular dhe një monitor që shërbenin për vënien e basteve sportive të palejuara. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 48-vjeçari. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., 48 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Llazi Miho”, duke transportuar shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Po nga veprimet e kryera rezultoi se ky shtetas kishte transportuar me një mjet fugon edhe disa shtetas të tjerë nga vendet e treta, të cilët u gjetën nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të fshehur në një ambient të braktisur. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit D. A., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Kukës – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin e dy shtetasve, Xh. H., 31 vjeç dhe M. H., 24 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Lojme, Kukës. Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase kosovare, 20 vjeçe, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj. Materialet në ngarkim të shtetasve XH. H. dhe M. H. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Stafeta”. Goditet një grup kriminal që merrej me organizimin dhe drejtimin e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e mesme drejt vendeve të BE-së. Vihen në pranga 6 shtetas. Sekuestrohen shuma parash, armë zjarri pistoletë, automjete e prova të tjera. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt vendeve të BE-së, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordimin nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një hetimi gati 8-mujor ka finalizuar me sukses operacionin “Stafeta”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikimit të personave. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2019 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe ndalimi i shtetasve: A. O., 36 vjeç, M. I., 30 vjeç, A. V., 39 vjeçe, A. B., 20 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, si dhe A. P., 21 vjeç dhe M. P., 19 vjeç, të dy banues në Korçë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës. Shtetasit A. O., A. V. dhe M. I. janë kapur në flagrancë në afërsi të rrethrrotullit të TEG-ut duke transportuar me automjetet 5 emigrantë të paligjshëm nga Maroku. Gjatë këtij operacioni policor janë mundur të sigurohen prova materiale të përfitimeve të këtyre personave nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht: 12.000 euro, 1 milion lekë, një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 10 aparate celuarë, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjensitë e transfertave të parave, si dhe dy automjete që shërbenin për të transportuar emigrantët. Materialet procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjyaktës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Tiranë – Vijojnë veprimet hetimore dhe profesionale për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B. Krahas veprimeve hetimore vijojnë kontrollet për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni apo mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Gjatë kontrolleve të shtuara është kapur në një lokal, një shtetas që mbante armë zjarri pistoletë me vete dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u arrestua në flagrancë nga Policia. Nga shërbimet e Policisë në Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe në Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë ushtruar kontrolle të shumta në disa ambiente lokalesh, banesa dhe servise automjetesh. Si rezultat i kontrollit të ushtruar në një lokal, një shtetas, në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është larguar me vrap, duke hedhur në tokë një çantë, brenda së cilës Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, me një krehër me 7 fishekë kalibër 9 mm. Shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 32 vjeç, banues në Shkodër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim. Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon veprimet intensive për dokumentinin e plotë të vrasjes së shtetasit H. B., identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Më herët, nga DVP Tiranë, u identifikua dhe u prangos 22-vjeçari S. M. (nipi i shtetasit V. M.), i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Më pas, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.
Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale. Në kuadër të këtij bashkëpunimi është bërë ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Petrit Buzi, 47 vjeç. Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Athinë, në mars 2019, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2005, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Më datë 25.03.2004, ky shtetas, në bashkëpunim me tre shtetas te tjerë, ka vrarë shtetasin N. H., në fshatin Kallm i Madh, Fier. Gjithashtu u bë ekstradimi nga Athina, Greqi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar T. Sh., alias T. S., alias E. P., 34 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në maj 2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Më datë 06.04.2018, në poliklinikën e specialiteteve në Fier, ky shtetas ka hyrë në zyrën e shtetases L. A. dhe i ka vjedhur nga çanta e saj portofolin dhe kartën e bankës. Shtetasja L. A. ka tentuar ta ndalojë atë, duke mbyllur derën e zyrës, por ai e ka shtyrë atë dhe është larguar me vrap. Nga vëzhgimi i kamerave ka rezultuar se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi T. Sh. Falë koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Athina është bërë kapja në Greqi e dy shtetasve në kërkim, duke u finalizuar me ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Bulqizë – Më datë 21.06.2020, rreth orës 23.00, në fshatin Gjoricë, Bashkia Bulqizë, në ambientet e një lokali, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është goditur me mjete të forta nga tre persona ende të pa identifikuar, shtetasi F. A., 26 vjeç, banues në fshatin Gjoricë, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohen lëndë narkotike dhe një armë e ftohtë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasit A. U., 30 vjeç dhe E. M., 30 vjeç, pasi në rrugën “Petraq Leka”, gjatë kontrollit të automjeteve dhe banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 tableta metadon dhe një qese me material kokrrizor, i dyshuar farë e bimëve narkotike cannabis sattiva. Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 29 vjeç, pasi në rrugën “Selman Riza”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit sirian B. Ch., 25 vjeç, pasi në bulevardin ” Bajram Curri”, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me armë të ftohtë thikë dhe nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për kontroll fizik. Shërbimet e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.58 mg/l. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 212 shtetas, nga këta: 64 janë të arrestuar, 15 janë ndaluar dhe 133 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, në të gjithë territorin, me 17 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 26 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 11 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”.
Janë evidentuar 18 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 21 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 26 raste, 9 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 17 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 8 raste, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Pushtim toke”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 14 raste aksidentesh, me 21 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.