Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Kapet duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 48-vjeçari.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Llazi Miho”, duke transportuar shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po nga veprimet e kryera rezultoi se ky shtetas kishte transportuar me një mjet fugon edhe disa shtetas të tjerë nga vendet e treta, të cilët u gjetën nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të fshehur në një ambient të braktisur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit D. A., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.