Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Port/Durrës – Kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Policia Kufitare parandalon dhe godet dy raste të mosdeklarimit  të të hollave në kufi. Sekuestrohen 50.000 euro.  Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas. Strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, proceduan në gjendje të lirë shtetasin B. S., 49 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, pasi gjatë kontrollit të kamionit në administrim të tij u konstatuan dhe u bllokuan 30.000 euro të padeklaruara. Po nga strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës u procedua penalisht edhe N. L., 45 vjeç, shtetas malazez. Në dalje të RSH-së, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në kamionin me drejtues shtetasin malazez N. L., gjetën të fshehur në tavanin e kabinës së mjetit, një pako të mbështjellë me natriban, në të cilën ndodheshin 20.000 euro, vlera monetare të pa deklaruara në kufi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “ATM”, për zbardhjen e vjedhjeve me dhunë, armë dhe eksploziv, të ndodhura më parë. Si rezultat i një pune profesionale dhe hetimore zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 15 raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje të bankomatëve dhe filialeve të bankave të nivelit të dytë,  këmbimit valutor, karburanteve e argjendarive. Vjedhjet me dhunë e armë, të ndodhura më parë në qarqet Tiranë, Durrës e Berat. Vihet në pranga autori i dyshuar i këtyre ngjarjeve të dokumentuara me prova të pakontestueshme. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me dhunë, armë dhe eksploziv, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar me prova ligjore të pakontestueshme, nga Sektori i Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Kavajë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor “ATM”. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit A. R. alias R. P., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kavajë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, më datë 15.05.2020, në bazë të provave të siguruara nga puna profesionale dhe hetimore e strukturave të Policisë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si autor i dyshuar për disa vjedhje të filialeve të bankave në nivelit të dytë dhe bankomatëve (ATM). Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se ky shtetas është autori kryesor i dyshuar për disa vjedhje me dhunë, armë e eksploziv në Qarkun e Tiranës, konkretisht: I vjedhjes me armë zjarri të një sasie vlere monetare në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 02.03.2018, rreth orës 03:50, në fshatin Kashar, Tiranë; I tentativës për vjedhje me thyerje të filialit të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 27.12.2018, rreth orës 04:20, në rrugën “Dritan Hoxha”, lagjja Laprakë, Tiranë; I tentativës për vjedhje me eksploziv të vlerave monetare në bankomatin (ATM) e filialit të një banke  të nivelit të dytë në Bulevardin Blu, Bashkia Kamzë, Tiranë; I vjedhjes me eksploziv të një shume parash në një bankomat të filialit të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 17.01.2019, rreth orës 04:30, në rrugën “Rinia”, Bashkia Vorë, Tiranë dhe i vjedhjes me eksploziv të një sasie vlerash monetare në një bankomat të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 26.08.2019, rreth orës 03:22, në lagjjen nr. 5 të qytetit  të Kavajës. Gjithashtu, po nga puna hetimore u bë e mundur zbardhja edhe e një sërë ngjarjeve të tjera të ndodhura më parë në qarqet Tiranë, Durrës e Berat, si vjedhje me dhunë, armë e eksploziv të bizneseve, bankomatëve  dhe argjendarive, konkretisht: Vjedhja e një shume parash në një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, ndodhur më  05.11.2018; Vjedhja e një sasie parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në Ura Vajgurore, Berat, më 04.01.2019; Tentativa për vjedhje të ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë në Shijak, Durrës, ngjarje e ndodhur më 27.12.2018; Vjedhja e një shume parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë në Shijak, Durrës, ndodhur më 14.02.2019; Vjedhja e një shume parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ndodhur më 09.06.2019, në lagjjen nr. 14, Durrës; Tentativa për vjedhje në një ATM (bankomat) të një banke të nivelit të dytë, ndodhur më 09.06.2019 në lagjen nr. 13, Durrës; Tentativa për vjedhje në një dyqan të këmbimit valutor Exchange, ndodhur në Durrës, më  31.07.2019; Vjedhja e së një sasi bizhuterish në një argjendari në një qendër tregtare, ndodhur më  01.01.2019 dhe tentativa për vjedhje të parave në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, në Shkozet, Durrës, ndodhur më  17.01.2019. Vijon puna për kapjen edhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajta pa leje a armëve dhe municioneve luftarake”.

Kurbin, Lezhë – Identifikohen, lokalizohen dhe arrestohen bashkëpunëtorët e autorit të dyshuar të plagosjes së 2 të rinjve, mbrëmjen e datës 17.05.2020, në Mamurras. Në vijim të punës së kryer nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për zbardhjen e plagosjes me armë të dy të rinjve, është bërë e mundur zbardhja e  ngjarjes. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit N. B. (G. L.), XH. L. dhe E. N., banues në Mamurras, kanë plagosur me armë zjarri shtetasit K. L. dhe E. Z. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të DVP Lezhë, kanë vijuar pandërprerë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe falë një pune profesionale dhe të mirorganizuar është bërë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i dy kushërinjve, konkretisht: N. B. (G. L.) dhe Xh. L., banues në Mamurras, Kurbin.  Vijon intensivisht puna për kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, shtetasit E. N. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale në ngarkim të tyre “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, një person i shpallur në kërkim, i dënuar për veprat penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin Anxhelino Çervanaku, 27 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi në korrik të vitit 2014, ka plagosur me armë zjarri për motive të dobëta, shtetasin B. M. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore Policisë Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprat penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Veprimet e mëtejshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Tiranë – Organizuan protestë të paligjshme, procedohen penalisht 9 persona. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin e Kombit, proceduan penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas. Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet. Shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit: R. B., N. L., A. K., A. M., L. B., M. K., Ç. Gj., F. M. dhe A. L. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Himarë – Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin I. B., 27 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë në Himarë, pasi më datë 17.05.2020, rreth orës 22:10, duke drejtuar automjetin e tij është përplasur me një motor dhe si pasojë është lënduar drejtuesi i motorit, shtetasin Sh. B., i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 19 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: U. S., banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”; A. B., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; E. D., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe S. T., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 25 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 5 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 15 raste të ndërtimit pa leje, 7 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 3 në Vlorë, 2 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.