Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Trushi”. Kapet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga drejtësia italiane. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, Departamentin e Policisë Kriminale dhe misionin Interforza, kanë bërë të mundur lokalizimi në qytetin e Shkodrës, të 53-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në këtë kuadër, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Trushi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit shqiptar Fran Malocaj, 53 vjeç alias Françesk Pashku, 52 vjeç banues në Trush, Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit ne Ankona / Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafik narkotikësh, kryer në bashkëpunim”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.  Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompetencat”. Operacioni, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”. Përdornin dokumente të falsifikuara duke u prezantuar si punonjës policie, në pranga një shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kompetencat”, arrestoi shtetasin  J. M., 42 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. H., 53 vjeç. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin përdornin dokumente të falsifikuara, duke u prezantuar si punonjës policie.  Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 121 shtetas, nga këta: 23 janë të arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 93 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 17 raste, 9 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.