Libohovë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në një familje.

Kanosi bashkëshorten se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe qëlloi në ajër, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 40-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal.

Pas rreth 2 orësh e 30 minutash negociatash me Policinë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.

Sekuestrohen arma e zjarrit automatike, me fishekë në folenë e fishekut, si dhe krehëri me municionin përkatës.

Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në Libohovë, një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe negociatave të zhvilluara nga shërbimet e Policisë, u finalizua operacioni policor “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit T. B., 40 vjeç, banues në Libohovë, me precedent të mëparshëm penal.

Ky shtetas, pas një konflikti me bashkëshorten e tij, e kishte kanosur se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe më pas ishte larguar me automjet, duke qëlluar me armë zjarri në ajër.

Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, arma e zjarrit automatike u konstatua me fishekë në folenë e fishekut, si dhe me krehërin me municionin përkatës. Arma dhe krehëri me municion u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.