Shkodër/Policia pranë nxënësve

Shkodër / Policia pranë nxënësve!

Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, punonjësit e Policisë po vijojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese në shkollat e qarkut të Shkodrës.

Shefi i Sektorit të Rendit Publik të DVP Shkodër, ndihmësspecialisti për edukimin në shkolla dhe punën me të rinjtë, si dhe punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër zhvilluan një takim me nxënësit e gjimnazit “Oso Kuka”, me pjesëmarrjen e drejtoreshës së shkollës, stafit pedagogjik dhe oficerit të sigurisë.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore, si dhe me parandalimin e bullizmit (veçanërisht në hapësirën digjitale), të dhunës dhe të dukurive të tjera negative.

Nxënësit dhe stafi pedagogjik patën mundësi të ndanin shqetësimet e tyre, të drejtonin pyetje dhe të merrnin këshilla praktike nga përfaqësuesit e Policisë.

Gjithashtu, nxënësit u informuan për rreziqet dhe pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe për rreziqet dhe pasojat e mbajtjes dhe të përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Këto takime synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve, parandalimin e sjelljeve të rrezikshme dhe nxitjen e bashkëpunimit me Policinë, për të garantuar një mjedis më të sigurt brenda dhe jashtë shkollës.

DVP Shkodër mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së të rinjve.