Drejtori i Përgjithshëm Skender Hita, vizitë në Akademinë e Policisë së Italisë

📌Romë, Itali

Hita: “Arsimimi dhe formimi profesional, baza për një Polici moderne dhe shërbim cilësor ndaj qytetarëve.”

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, vizitoi Akademinë e Policisë së Italisë, ku u prit nga drejtori i saj, z. Mario Viola.

Gjatë takimit, Drejtues Madhor Skender Hita vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe formimit profesional në ndërtimin e një policie moderne dhe profesionale.

“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh Hita.

Drejtori i Akademisë së Policisë italiane, z. Mario Viola, vlerësoi progresin e Akademisë së Sigurisë dhe rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin e saj.

“Vlerësoj progresin e Akademisë së Sigurisë të Policisë shqiptare, e cila tashmë është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe ShBA. Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, u shpreh Viola.

Ndërsa rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, falënderoi autoritetet dhe drejtuesit e Akademisë së Policisë italiane, për mbështetjen dhe kontributin në zhvillimin akademik e profesional. Ai vlerësoi rëndësinë e përafrimit të sistemeve të arsimit policor dhe vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, në fushën e trajnimeve, shkëmbimit të lektorëve dhe ndarjes së eksperiencave në policimin në komunitet.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe formimit policor përbën një investim të drejtpërdrejtë në profesionalizmin e punonjësve të Policisë dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.