Berat/Vijojnë takimet me nxënësit e shkollave të qarkut, në zbatim të programit “Siguria e të Rinjve”

Berat/Vijojnë takimet me nxënësit e shkollave të qarkut, në zbatim të programit “Siguria e të Rinjve”.

Me qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për evidentimin dhe parandalimin e fenomeneve që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e tyre, ndihmëspecialistët e Edukimit në Shkolla, në bashkëpunim me stafin pedagogjik, zhvilluan takime me nxënësit e shkollave “Babe Dude Karbunara”, “Thimi Tani” dhe “Shkolla e Mesme Roshnik”, në qarkun e Beratit.

Gjatë takimeve u trajtuan tema me rëndësi të veçantë për moshën e adoleshencës, si dhuna në shkollë, bullizmi, bullizmi kibernetik dhe trafikimi.

Përmes bashkëbisedimit dhe informimit, nxënësit u njohën me rreziqet që mund t’u kanosen, rëndësinë e respektimit të njëri-tjetrit dhe domosdoshmërinë e kërkimit të ndihmës në çdo rast kur ndihen të kërcënuar apo përballen me situata problematike.

Takime të tilla synojnë krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe pa dhunë, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes Policisë, shkollës, nxënësve dhe komunitetit.

🤝 Siguria e të rinjve është përgjegjësi e përbashkët.

#SiguriaETëRinjve
#Edukimi
#StopBullizmit
#SiguriaKibernetike
#JoTrafikimit