Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Reagimi”, arrestohet 1 shtetas që lëvizte i armatosur

Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Reagimi”, goditen një rast i armëmbajtjes pa leje dhe i një rast i shitjes të lëndëve narkotike.

Lëvizte i armatosur me pistoletë dhe posedonte me qëllim shitjen, 600 gramë Cannabis, kapet në flagrancë në qytetin e Lezhës dhe arrestohet 20-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak, lënda narkotike, 2 celularë dhe 1 automjet.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, të DVP Lezhë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve për një shtetas që lëvizte i armatosur dhe shiste lëndë narkotike, finalizoi operacionin e koduar “Reagimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi G. T., 20 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas është lokalizuar nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Lezhës. Sapo ka vënë re punonjësit e Policisë, ai ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga.

Gjatë kontrollit fizik, 20-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak. Në vijim, gjatë kontrollit në automjetin që ai përdorte, u gjetën 600 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që ky shtetas dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, sasia e lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 celularë dhe automjeti i 20-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.