Sarandë/Finalizohet operacioni i koduar “Tranzit 2”, goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Transportonte me furgon, 21 shtetas nga Iraku dhe Irani që kishin hyrë ilegalisht nga kufiri me Greqinë, kapet në flagrancë gjatë natës dhe arrestohet 35-vjeçari.
Procedohen në gjendje të lirë 21 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Sekuestrohet furgoni.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë, organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion policor, të koduar “Tranzit 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 35 vjeç, banues në Itali.
Ky shtetas u kap gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, duke transportuar me një automjet furgon, 21 shtetas me origjinë nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Nga hetimet dyshohet se destinacioni final i emigrantëve ishte Italia dhe se pagesa për transportimin ishte 2 800 euro për secilin shtetas.
Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.
