Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Fireworks”

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Fireworks”.
Zbulohet një banesë ku ishin magazinuar lëndë piroteknike të kontrabanduara, dyshohet për t’ua shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit, arrestohet 24-vjeçari.
Sekuestrohen 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë rreth 40 000 euro.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që kishte magazinuar në banesë sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim përdorimin për qëllime të kundërligjshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E. R., 24 vjeç.
Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.
Vijojnë kontrollet dhe veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.