Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 5 operacione:
-4 në Tiranë, Lezhë dhe Elbasan, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, kontrabandës së mallrave dhe për zbardhjen e vjedhjeve;
-1 operacion në bashkëpunim me SPAK-un, për goditjen e një grupi kriminal që jepte ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 4 shtetas dhe “Arrest në shtëpi” për 1 shtetase.
Janë kapur 4 shtetas që ishin në kërkim, njëri prej tyre i shpallur në kërkim 1 ditë më parë, për veprën penale “Vepra të turpshme”.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 10 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Dibër/U proceduan në gjendje të lirë shtetasit R. H., 18 vjeç, dhe 7 shtetas të mitur, të moshave 14, 15 dhe 17 vjeç, pasi dyshohet se dje, pas përfundimit të procesit mësimor, janë konfliktuar me njëri-tjetrin në oborrin e gjimnazit në njësinë administrative Kastriot, si dhe shtetasit I. S., 30 vjeç, dhe J. S., 30 vjeç (familjarë të njërit prej shtetasve të mitur), pasi dyshohet se, pas konfliktit, kanë thyer xhamat e një subjekti në pronësi të një 47-vjeçari.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 13 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Lezhë/U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit N. P., 61 vjeç, me profesion jurist, dhe A. D., 51 vjeçe, me profesion inxhiniere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në Bashkinë Mirditë, kanë lejuar kryerjen e ndërtimeve pa leje në një objekt në fshatin Domgjon, Mirditë, në këmbim të ryshfetit.
Gjithashtu, u procedua penalisht për shpërdorim detyre shtetasi E. Xh., 45 vjeç, kryeinspektor i IMT-së Malësi e Madhe, pasi dyshohet se nuk ka marrë masa për evidentimin e një ndërtimi të paligjshëm në zonën që ka në monitorim.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Tiranë/U arrestua shtetasi A. B., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi dje pasdite, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka përplasur motomjetin me drejtues një 35-vjeçar dhe është larguar nga vendi i aksidentit. 35-vjeçari po merr mjekim në spital.
Shkodër/U procedua penalisht shtetasja E. V., 28 vjeçe, banuese në fshatin Hot i Ri, pasi dje, në fshatin Hot i Ri, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka aksidentuar një shtetase të mitur 5 vjeçe, banuese në Shkodër, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Shtetasja e mitur mori mjekim dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar 4 shtetas, pasi janë kapur jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas që ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore për të shmangur masën administrative, si dhe 3 shtetas që nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.
Janë proceduar penalisht 8 shtetas që posedonin armë të ftohta dhe 5 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 5 shtetas në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe proceduan penalisht 1 shtetas për falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të shumave monetare.
Interpol Tirana/Në vijim të operacionit “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Parisit, u arrestuan nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas shtetasi nga RMV-ja, D. D., 48 vjeç, dhe shtetasja kroate, M. L., 47 vjeçe. Këta shtetas ishin në kërkim ndërkombëtar, pasi janë dënuar nga gjykatat në Francë, përkatësisht në vitin 2024 dhe në vitin 2023, me nga 2 vjet burgim, për veprën penale “Përvetësimi ose blerja e sendeve të vjedhura”. Bashkëpunimi me homologët francezë vijon për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 të ndaluarve në Francë.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
