U kapën në flagrancë afër një shkolle në lagjen “Pavarësia”, me doza Kokaine dhe Cannabisi, arrestohet një 17-vjeçar, procedohet penalisht një bashkëmoshatar i tij.
Sekuestrohen dozat e lëndëve narkotike, automjeti që drejtonte i arrestuari, pa leje drejtimi, dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për dy shtetas që do të shisnin doza të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave të qytetit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shkolla të pastra”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë një 17-vjeçar, banues në Orikum, dhe u procedua në gjendje të lirë një 17-vjeçar, banues në Dukat.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në afërsi të një shkolle, në lagjen “Pavarësia”, duke qarkulluar me automjetin që e drejtonte pa leje, 17-vjeçari që u arrestua.
Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve, u gjetën dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Dozat e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 3 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
