DVP Fier/Finalizohet operacioni i koduar “Transaksioni 2”

DVP FIER/ FINALIZOHET ME SUKSES OPERACIONI POLICOR “TRANSAKSIONI 2”

Ekzekutohen 11 masa sigurimi personal “Arrest në shtëpi” dhe 3 masa sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, për 14 shtetas.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksioni 2”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë ekzekutimi i urdhrave të prokurorit, në zbatim të vendimit të gjykatës, për 14 shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.

Në zbatim të vendimit të gjykatës, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit:

E. Dh., 55 vjeç, H. Sh., 58 vjeç, E. I., 34 vjeç, A. I., 45 vjeç, L. T., 27 vjeç, L. Z., 57 vjeç, F. D., 67 vjeç, V. B., 58 vjeç, R. S., 39 vjeç, D. A., 36 vjeç dhe Ç. S., 38 vjeç, banues në Fier dhe Tiranë.

Për shtetasin Ç. S., nisi procedimi penal, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive tip pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 3 shtetase të tjera.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në njësitë tregtare dhe banesat e shtetasve të përfshirë në hetim, u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme, konkretisht:

* 4 461 000 lekë;
* 92 390 euro;
* 8 215 paund;
* 19 022 dollarë;
* 220 franga;

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon angazhimin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.