Librazhd/Finalizohet operacioni i koduar “Zhvendosja”. Goditet një tjetër tentativë për të shitur lëndë narkotike, në doza, në afërsi të shkollave.
Ndryshonte vendbanimet e përkohshme në Librazhd, me qëllim shitjen e dozave të Kokainës dhe Cannabisit, arrestohet 27-vjeçari, banues në Durrës.
Vihet në hetim shtetasi që e shoqëronte, pasi kishte me vete mjet prerës.
Sekuestrohen doza Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që drejtonte i arrestuari, pa leje, si dhe mjeti prerës (thikë) dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i administrimit të shpejtë, në drejtimin e Prokurorisë, të një informacioni të siguruar në rrugë operative, finalizuan operacionin e koduar “Zhvendosja”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 27 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. T., 21 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 27-vjeçari, banues në Durrës, ishte akomoduar përkohësisht në Librazhd, ku ndërronte shpesh njësinë e banimit, me qëllim shitjen e lëndëve narkotike, në doza, në afërsi të institucioneve arsimore. Gjatë kontrolleve fizike, 27-vjeçarit iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në dhjetëra doza, gati për shitje, ndërsa 21-vjeçarit që e shoqëronte iu gjet 1 mjet prerës (thikë).
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasi E. C., automjetin me të cilin lëvizte për të shpërndarë dozat, e drejtonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
