Tiranë/Vijojnë takimet me drejtuesit e institucioneve arsimore për forcimin e sigurisë së nxënësve.
Në kuadër të prioriteteve të Policisë së Shtetit për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore, strukturat e Policisë së Tiranës kanë zhvilluar takime me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe marrjen e masave konkrete për parandalimin e problematikave.
Në kuadër të këtyre takimeve, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 zhvilluan një takim me drejtuesit e shkollës “Ismail Qemali”. Në takim mori pjesë shefi i Komisariatit, Kryekomisar Ervin Hasrama, së bashku me punonjës të këtij Komisariati, të ngarkuar me detyra për edukimin dhe sigurinë në shkolla.
Gjatë takimit u diskutua mbi situatën e sigurisë në dhe përreth institucionit arsimor, evidentimin dhe parandalimin në kohë të konflikteve apo problematikave që mund të përfshijnë nxënësit, si dhe nevojën për një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë dhe stafit pedagogjik.
Gjithashtu, u përcaktuan masa konkrete për rritjen e pranisë dhe reagimin e menjëhershëm të strukturave policore ndaj çdo situate që mund të cenojë sigurinë e nxënësve.
Policia e Tiranës do të vijojë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me institucionet arsimore, me fokus parandalimin, edukimin dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafet pedagogjike.
