Fier/Finalizohet operacioni i koduar “No Games”

Fier

Finalizohet operacioni i koduar “No Games”, goditet një tjetër rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Zbulohet në një lokal në qytetin e Fierit, një ambient i përshtatur për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Arrestohen 2 shtetas (administratorja e lokalit dhe organizatori i lojërave të fatit).

Procedohen penalisht 16 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati, në lokal.

Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, 5 celularë dhe një shumë parash.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në qytetin e Fierit kryhej kjo veprimtari, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “No Games”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një lokal në lagjen “Kastriot”, Fier, që e kishte marrë me qira dhe e administronte shtetasja Dh. Sh. Gjatë ndërhyrjes, u zbulua një dhomë që ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit, që organizoheshin nga shtetasi R. C., si dhe u kapën në flagrancë 16 shtetas që po luanin lojëra fati.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit R. C., 43 vjeç, banues në Tiranë dhe Dh. Sh., 49 vjeçe, banuese në Fier.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: K. Ç., 38 vjeç, D. K., 44 vjeç, A. V., 39 vjeç, K. H., 45 vjeç, L. M., 42 vjeç, F. A., 59 vjeç, A. I., 37 vjeç, O. M., 37 vjeç, K. H., 49 vjeç, D. V., 46 vjeç, E. B., 40 vjeç, D. V. (T.), 31 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, V. T., 35 vjeç, F. P., 41 vjeç, dhe S. D., 28 vjeç, banues në Fier, Tiranë, Durrës, Korçë dhe Berat.

Gjatë operacionit, u gjetën në lokal dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 tavolinë pokeri, 1 kuti me 500 çipsa, 6 pako me letra bixhozi, 5 celularë dhe 8 000 euro.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.