📍 Tepelenë/“Siguria e fëmijëve dhe e të rinjve, prioritet dhe përgjegjësi që na bashkon të gjithëve”.
Në kuadër të programit kombëtar “Siguria në shkolla”, në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi”, u zhvillua një takim me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe strukturat përgjegjëse për sigurinë e nxënësve.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i DVP Gjirokastër, Drejtues Altin Merizaj, Prefektja e Qarkut Gjirokastër, znj. Albana Hasanaj, Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Tepelenë-Memaliaj, z. Shkëlqim Ymeri, zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike i DVP Gjirokastër, Kryekomisar Altin Demiraj, shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë, Kryekomisar Ilirjan Demaj, shefi i Stacionit të Policisë Memaliaj, Nënkomisar Eduart Bega, shefi i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Tepelenë, Komisar Klaudio Minxha, ndihmësspecialistët për Edukimin dhe Sigurinë në Shkolla të DVP Gjirokastër, si dhe drejtorët e shkollave, oficerët e sigurisë dhe psikologët.
Në fokus të takimit ishte ndjekja e masave të përcaktuara për rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe forcimi i reagimit të përbashkët ndaj çdo problematike që mund të shfaqet në ambientet arsimore dhe përreth tyre.
Në këtë kuadër, u përcaktua shtimi i prezencës së punonjësve të Policisë pranë institucioneve arsimore, veçanërisht gjatë orareve të hyrjes dhe daljes së nxënësve, si dhe intensifikimi i kontrolleve dhe monitorimeve në hapësirat përreth shkollave.
Një tjetër masë e rëndësishme është zhvillimi i takimeve javore ndërmjet strukturave të Policisë dhe përfaqësuesve të institucioneve arsimore, për të ndjekur situatën në mënyrë të vazhdueshme, për të evidentuar problematikat dhe për të përcaktuar në kohë masat që do të ndërmerren.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave, oficerët e sigurisë dhe psikologët, me qëllim që çdo shqetësim i evidentuar të trajtohet në kohë dhe në bashkëpunim.
Policia e Gjirokastrës do të vijojë angazhimin e saj të përditshëm pranë komunitetit shkollor, duke synuar parandalimin e problematikave dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.
🤝 Bashkë për sigurinë e nxënësve!
#SiguriaNëShkolla
#NxënësitTëParët
#RaportoÇdoShqetësim
