Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 7 operacione, në Tiranë, Berat, Vlorë dhe Lezhë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve.

Janë kapur 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 21 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 11 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 7 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.

Tiranë/Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në Allias, ku shtetasi G. S., 36 vjeç, dyshohet se u vetëdëmtua me mjet prerës dhe më pas u vetëhodh nga kati i pestë i një pallati dhe, si pasojë, humbi jetën, u arrestua shtetasi S. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

U procedua penalisht një 20-vjeçare, për veprat penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Dhuna në familje”. Rasti është publikuar në një emision investigativ.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U identifikuan dhe u proceduan penalisht 4 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në fshatra të Durrësit, në Peqin dhe në Malësi të Madhe.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 9 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe u procedua penalisht 1 tjetër, pasi është larguar nga vendi i aksidentit.

Tiranë/U arrestua një 24-vjeçar, pasi, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka përplasur një shtetase 75 vjeçe, këmbësore, e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, pasi një 16-vjeçar, duke drejtuar automjetin, pa leje, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, si pasojë, automjeti është përplasur me murin e një banese. 16-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve.

U proceduan penalisht 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, u shpall në kërkim 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 25 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë mallrash.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Shkodër/Mbrëmjen e djeshme, në Spitalin Rajonal Shkodër, ka humbur jetën shtetasi K. D., 48 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, i cili ishte paraqitur në spital, paraditen e djeshme, për ndihmë mjekësore, pasi vuante nga një sëmundje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.