Tiranë/Policia iu shkon në ndihmë 2 turistëve gjermanë që kishin humbur rrugën në malin e Dajtit

Tiranë/Policia iu shkon në ndihmë 2 turistëve gjermanë që kishin humbur rrugën në mbrëmje, në zonën pas malit të Dajtit.

Rreth orës 20:15 të datës 13.09.2026, Policia e Tiranës u njoftua se 2 turistë gjermanë kishin nevojë për ndihmë, pasi kishin humbur rrugën, në një terren malor në afërsi të Qafë Mollës. Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre, në terren të sigurt për ta.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, 2 turistët u lokalizuan në një terren të vështirë, iu dha ndihma e nevojshme dhe u shoqëruan nga zona ku kishin humbur rrugën, në gjendje të mirë shëndetësore.

Ata falënderuan Policinë e Tiranës, për reagimin e menjëhershëm dhe asistencën e ofruar.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton që për çdo problematikë apo situatë emergjente, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.