Korçë/Finalizohet operacioni i koduar “Përsëritësit”.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për vjedhje, dhe kreu sërish 3 vjedhje të tjera (2 prej tyre me thyerje), kapet dhe arrestohet 18-vjeçari.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij, me precedent penal për vjedhje.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve të disa shtetasve, për vjedhje me thyerje në subjektet që kishin në pronësi/administrim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë finalizuan operacionin e koduar “Përsëritësit”, gjatë të cilit u zbardhën 2 raste të vjedhjes me thyerje, të ndodhura më datë 07.09.2026 dhe një vjedhje e ndodhur më datë 04.08.2026.
Në vijim, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i tyre, shtetasi A. H., 18 vjeç, dhe u shpall në kërkim një 17-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur para dhe produkte, në 3 subjekte. Gjatë verifikimeve rezultoi se shtetas A. H. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçë, për veprime të mëtejshme.
