Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 5 operacione, 3 për zbardhjen e vjedhjeve, në Tiranë, Korçë dhe Vlorë, dhe 2 për goditjen e prostitucionit, në Shkodër dhe Elbasan.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 11 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.

U arrestua në flagrancë një 25-vjeçar dhe po punohet për kapjen e 3 shtetasve të tjerë, pasi dyshohet se, pas mesnate, në Sarandë, kanë goditur me sende të forta një 22-vjeçar dhe i kanë vjedhur celularin.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 16 raste, me 7 shtetas të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Gjatë natës, dyshohet se është vjedhur një shumë parash në banesën e një shtetaseje, në fshatin Kotë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Zgërdhesh, Krujë, dhe, si pasojë, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe shkurre.

U procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në malin sipër fshatit Qesarat, Sarandë, dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke që ky shtetas e kishte marrë me qira.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar edhe 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 6 raste, 3 prej tyre me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, po punohet për kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Gjithashtu, po punohet për shoqërimin e një shtetaseje, pasi dyshohet se ka kanosur, për shkak të detyrës, punonjësen e një njësie administrative.

U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe 1 shtetas që posedonte armë të ftohtë; u shpallën në kërkim 2 shtetas të dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura/ngacmim seksual dhe u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim; arrestuan 1 shtetas dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për falsifikim dokumentesh; proceduan penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për kontrabandë të mallrave dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Interpol Tirana/ Në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është finalizuar procedura për ekstradimin nga Shqipëria në Itali të shtetasit E. D., 41 vjeç, të cilit, në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Bari, Itali, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Dje, ka rënë zjarr në ambientet e shkollës 9-vjeçare në fshatin Qinam. Si pasojë, janë shkaktuar dëme të shumta materiale. Punohet për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Dje, shtetasi H. P., 60 vjeç, punonjës shërbimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ka humbur jetën në ambientet e punës, dyshohet për shkaqe natyrale.