Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet për goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar 5 operacione, në kuadër të të cilave u vunë në pranga 7 shtetas dhe u sekuestruan 4 kg e 641 gramë cannabis me përqindje të lartë THC, 2 motomjete dhe 1 skuter elektrik, si dhe sasi të tjera lënde narkotike.
Janë zbardhur 4 raste zjarrvënieje në Fier, Durrës dhe Shijak, ku janë arrestuar 3 shtetas dhe 1 është proceduar penalisht për shkak të moshës.
Gjithashtu, janë kapur/ndaluar 3 shtetas në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 9 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar lëndë të dyshuara narkotike dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Për krimet kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të proceduar dhe 1 në kërkim.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 10 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste ekonomiko-financiare, 2 raste kompjuterike/kibernetike dhe 5 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, për të cilat janë proceduar penalisht autorët sipas rastit.
Në fushën e sigurisë rrugore janë arrestuar 10 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Është arrestuar gjithashtu 1 shtetas për tentativë korrupsioni ndaj punonjësit të Policisë dhe është proceduar 1 tjetër për largim nga vendi i aksidentit.
Në Fier, është arrestuar një 34-vjeçar, pasi, duke drejtuar një mjet tip pirun, ka aksidentuar një 62-vjeçar, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në Peqin dhe Shkodër vijon puna për gjetjen e dy shtetasve të kallëzuar si të larguar nga banesat.
-Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 10:52, Policia është njoftuar se shtetasi F. S., rreth 40 vjeç, dyshohet se ka rënë në një humnerë, në fshatin Lëpushë, Kelmend. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, si pasojë e dëmtimeve të marra, 40-vjeçari ka humbur jetën. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
