Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last post”.
Goditen 2 raste të tjera të reklamimit në rrjete sociale, të ushtrimit të prostitucionit, si dhe zbulohen 2 apartamentet e marra me qira, ku kryhej kjo veprimtari.
Arrestohen 2 shtetase braziliane dhe kolumbiane, për ushtrim të prostitucionit.
Në pranga dhe një 46-vjeçare që shfrytëzonte shtetasen braziliane, për këtë veprimtari.
Sekuestrohen 6 celularë nëpërmjet të cilëve reklamohej në rrjete sociale, kjo veprimtari.
Në vijim të verifikimeve, punës operative dhe asaj hetimore, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira, veprimtari e cila në disa raste, reklamohet në rrjete sociale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme finalizuan operacionin e koduar “Last post”, gjatë të cilit u goditën 2 raste të tjera në këtë fushë që rezultuan me arrestimin e shtetaseve të huaja:
-L. S., 46 vjeçe dhe T. S., 21 vjeçe (te dyja nga Brazili), pasi dyshohet se 46-vjeçarja shfrytëzonte shtetasen T. S., për të ushtruar prostitucion, në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Abdyl Frashëri”, ku u gjetën 6 celularë, të cilët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
-M. V., 23 vjeçe (shtetase kolumbiane), pasi dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, për të ushtruar prostitucion.
Kontrollet dhe verifikimet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë në terren dhe në hapësirën digjitale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
