Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe sekuestrohen automjetet me të cilat transportoheshin mallrat e kontrabanduara, si dhe një sasi e konsiderueshme produktesh të ndryshme.
✅ Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Pikës Doganore Kakavijë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza 1”, arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 48 vjeç, banues në Fier.
✅ Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavijë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza 2”, arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 57 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan.
Gjatë kontrolleve të kryera në automjetet e këtyre 2 shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra steka me cigare dhe puro, sasi duhani, medikamente, dhjetëra kilogramë kafe, pije alkoolike, materiale ndërtimi, produkte për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe paketime me produkte ushqimore.
Mallrat, për të cilat paguhet akcizë, dhe mallrat e tjera dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk ishin të pajisura me dokumentacionin tatimor përkatës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
