Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 6 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të prostitucionit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 19 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 18 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 9 të proceduar në gjendje të lirë dhe 5 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 19 raste, me 20 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 18 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve kibernetike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 5 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për kapjen e drejtuesit të një automjeti që është larguar nga vendi i aksidentit.

Fier/ Dje, rreth orës 16:50, në bypass-in e Fierit, shtetasi I. Sh., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në Spitalin e Traumës drejtuesi i automjetit, shtetasi I. Sh., 19 vjeç, dhe janë dëmtuar 2 pasagjerët, shtetasit N. Sh., 22 vjeç, dhe M. J., 31 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës.

U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar para për të shmangur masën administrative.

Janë proceduar në gjendje të lirë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 1 shtetas, për kontrabandë mallrash.

Interpol Tirana/U ekstradua nga Kosova, shtetasja E. S., 39 vjeçe, lindur në Korçë, e cila ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 06.06.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Tiranë/ Është dërguar në spital, për mjekim, shtetasi i huaj Y. P., 30 vjeç, i cili dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh. Vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Tiranë/ Shtetasja S. P., 57 vjeçe, ka humbur jetën në banesën e saj në Tiranë. Paraprakisht dyshohet se shkak i humbjes së jetës ka qenë sëmundja e rëndë nga e cila vuante. Materialet u referuan në Prokurori, për vlerësim.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.