Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 2 operacione në fushën e vjedhjes. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 2 shtetas, si dhe janë sekuestruar sendet e vjedhura.

Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas me detyrë kryepleq fshatrash, pasi në fshatrat e tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike. Janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara dhe janë sekuestruar doza kanabisi.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim.

Në Shkodër, u shpall në kërkim një 17-vjeçar dhe u arrestua babai i tij, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi, në lagjen Shirokë, Shkodër, 17-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) një 25-vjeçar, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

U arrestua një 33-vjeçar, pasi dje, në lagjen nr. 2, Sarandë, në shkallët e parkingut të Bashkisë Sarandë, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) një 22-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik ndaj 33-vjeçarit, krahas mjetit prerës, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

U arrestua një 18-vjeçar, pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Pilurit”, Himarë, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, pasi kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde narkotike kanabis.

Në Korçë, u arrestuan 2 shtetas, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me 2 shtetas të tjerë dhe, gjatë konfliktit, kanë dëmtuar një automjet të parkuar aty pranë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, si dhe 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin E. Gj., 39 vjeç, banues në Berat. Ky shtetas ka qenë duke punuar në fshatin Zhitom, Poliçan, me mjetin e tij “Fadromë”, për hapjen e një pusi uji në tokën e shtetasit B. K., 31 vjeç, banues në fshatin Zhitom, Poliçan. Gjatë punimeve është shkëputur një masiv dheu dhe ka zënë poshtë shtetasin B. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 1 autor të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 6 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Gjithashtu, u shpall në kërkim 1 shtetas, pasi i ka djegur plotësisht automjetin një shtetasi, të cilin e kishte të parkuar në oborrin e banesës së tij.

Është identifikuar dhe ndaluar një 40-vjeçar, në kuadër të operacionit policor “Shuma”. Ky shtetas, më datë 22.08.2026, ka marrë, në ambientet e një subjekti të këmbimit valutor në Tiranë, shumën prej 100 000 eurosh, e cila i ishte marrë nëpërmjet mashtrimit një 70-vjeçari.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 15 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 8 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Xh., 57 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi sot, rreth orës 07:15, në afërsi të ish-Stacionit të Trenit, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin F. S., 78 vjeç, banues në Vlorë, i cili lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, 78-vjeçari u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku më pas ka ndërruar jetë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike, dhe kanë ndëshkuar një drejtues të një mjeti lundrues Jet Ski për lundrim në zonë sigurie.

Tiranë/ Dje, është dërguar nga familjarët për mjekim një i mitur, i cili, në rrugën “Rexhep Shala”, është aksidentuar nga një automjet, me targë dhe drejtues ende të paidentifikuar. I mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Vijon puna për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.