Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last Scheme”.
Zbardhet vjedhja në një banesë në Sharrë, ku para 10 ditësh u morën 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 000 lekë.
Identifikohen 4 shtetasit, të cilët të organizuar si grup, dyshohet se kryen krimin. Kapen dhe vihen në pranga 3 prej tyre.
2 prej autorëve fshihnin në servisin për mjete, që kishin në bashkëpronësi në Astir, 1 armë zjarri (automatik) dhe 3 krehra me 82 fishekë.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municioni dhe 2 palë targa, si dhe 4 mjete dhe 55 000 lekë, me burime të dyshuara kriminale.
Si rezultat i hetimit intensiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes në banesën e shtetasit D. S., më datë 14.08.2026, u finalizua operacioni i koduar “Last Scheme”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 3 nga autorët e dyshuar të rastit, konkretisht shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi A. B.
Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri (automatik), 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh.
Më tej u krye kontroll në banesën e shtetasit K. T., nga ku u sekuestruan 1 automjet dhe 55 000 lekë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
