Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë finalizuar 5 operacione, për parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti, goditjen e veprimtarive në fushën e narkotikëve, si dhe zbardhjen e disa rasteve të mashtrimit dhe vjedhjes.

Gjithashtu, janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 6 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi/doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U arrestua një 34-vjeçar, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se ka goditur me mjet prerës kushërirën e tij, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Në vijim të hetimeve të kryera për 3 vatra zjarri të konstatuara dje, në fshatin Krastë, Krujë, u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas: njëri, me detyrë rojë mjedisore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe tjetri për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, të dyshuar për ngacmim seksual.

Janë arrestuar 9 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar 2 shtetas, për mosbindje/kundërshtim të punonjësve të Policisë, njëri prej të cilëve kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas për këtë vepër penale.

Janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike.

Interpol Tirana/ Si rezultat i bashkëpunimit me homologët, u ekstradua nga Kosova shtetasi kosovar O. B., 22 vjeç, pasi Gjykata e Gjirokastrës, në vitin 2024, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Berat/ Në vijim të njoftimit të publikuar nga portali “JOQ Albania”, për një të mitur 13-vjeçar që ishte larguar nga banesa, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë nisur menjëherë verifikimin e informacionit dhe veprimet për gjetjen e tij.

Bazuar në informacionin e publikuar se i mituri ndodhej në malin e Tomorrit, shërbimet e Policisë kanë organizuar kërkimet në këtë zonë dhe kanë bërë të mundur gjetjen e 13-vjeçarit, i cili u konstatua duke shitur qirinj.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasi Y. D., 38 vjeç, pasi dyshohet se e kishte marrë të miturin nga Tirana dhe e kishte transportuar drejt malit të Tomorrit, më datë 17.08.2026, ku dyshohet se e ka shfrytëzuar për shitjen e qirinjve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 celular dhe një shumë parash, e dyshuar se është përfituar nga shfrytëzimi i të miturit.

I mituri është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe, pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, iu dorëzua familjarëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon median që publikoi informacionin për rastin, si dhe qytetarët që kontribuuan me informacionet e tyre për gjetjen e të miturit.

Lushnjë/ U shpall në kërkim policor shtetasi S. H., 19 vjeç, banues në fshatin Allprenaj, Lushnjë, pasi familjarët kanë kallëzuar se ai është larguar nga banesa, më datë 22.08.2026. Po punohet për gjetjen e tij.

Klos/Informacion paraprak

Më datë 24.08.2026, rreth orës 06:40, në fshatin Klos Katund, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi Xh. L., 66 vjeç, banues në fshatin Klos Katund, i dyshuar se është vetëvarur.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.