Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 4 operacione në fushën e vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 15 800 euro, 2 varëse floriri, një sasi lënde narkotike kanabis, 3 biçikleta, 1 automjet dhe 2 aparate celularë.
Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
U arrestua 1 shtetas dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë një tjetër, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi ka shkelur vendimin e Gjykatës, dhe 1 shtetas i dyshuar për veprën penale “Përndjekja”, si dhe 1 shtetas për veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës”.
U arrestuan 3 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, u shpall në kërkim një 24-vjeçar, pasi ka thyer vendimin e Gjykatës, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në Tiranë u shpall në kërkim një 37-vjeçar, pasi gjatë një konflikti, së bashku me shtetas të tjerë të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta 2 shtetas, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, po në Tiranë, u shpallën në kërkim 2 shtetas, pasi kanë kanosur një shtetas, si dhe i kanë dëmtuar derën e automjetit.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë, 1 autor në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 9 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
