Skrapar
Policia u shkon në ndihmë turistëve çekë të bllokuar në Kanionet e Gradecit
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Alpine Fier, pas marrjes së njoftimit se dy turistë me origjinë çeke, 43 dhe 76 vjeç, ishin futur në Kanionet e Gradecit dhe kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre, kanë nisur menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë, duke përdorur edhe dronë, kanë bërë të mundur lokalizimin e dy turistëve, të cilët, për shkak të terrenit të vështirë, e kishin të pamundur të vijonin lëvizjen.
Falë ndërhyrjes së shërbimeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Alpine Fier, Komisariatit të Policisë Skrapar dhe Ekipit Canyoning Skrapar, u bë i mundur shpëtimi i dy turistëve dhe nxjerrja e tyre në mënyrë të sigurt nga kanionet.
Pas shpëtimit, turistët çekë falënderuan shërbimet e Policisë dhe të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, duke vlerësuar reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i nxjerrë të sigurt nga terreni i vështirë malor.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo situatë emergjente, duke reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm në të gjithë territorin.
