Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet policore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.

Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore:

– U finalizuan 4 operacione policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe për zbardhjen e rasteve të vjedhjes;

– U kap dhe u ndalua 1 shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar me 2 vjet burgim nga GJKKO për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

– U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për një 41-vjeçar të shpallur në kërkim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Në fushën e narkotikëve u goditën 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 2 inspektorë pyjorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë veprimeve u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 17 raste, me 19 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua 1 shtetas, i dyshuar se ka goditur me grushte kryeplakun e një fshati në Fier, për shkak të detyrës, dhe i ka dëmtuar automjetin.

U proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, pasi nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u plotësuan 8 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 12 raste, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që dyshohet se gjatë natës, në Ishull Lezhë, i kanë marrë me dhunë sendet personale një shtetasi.

Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 5 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, u procedua penalisht një 36-vjeçar, i dyshuar se ka përvetësuar një shumë parash nëpërmjet mashtrimit.

Është arrestuar 1 shtetas për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 8 shtetas të tjerë u proceduan penalisht për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 7 shtetas dhe u proceduan penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, 5 shtetas të tjerë u proceduan penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

U arrestua shtetasi B. K., 56 vjeç, pasi mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, automjeti që drejtonte u përplas me motomjetin që drejtohej nga shtetasi N. B., 29 vjeç, i cili mbeti i dëmtuar dhe po merr mjekim në Spitalin e Traumës.

U ndëshkua me 25 000 lekë gjobë, pezullim të lejes së drejtimit për 6 muaj dhe zbritje të 4 pikëve, drejtuesja e një automjeti që u filmua duke qarkulluar në kundërvajtje në rrugën “Mitat Hoxha”, Sarandë. Gjatë verifikimit rezultoi se e drejtonte automjetin në efektin e alkoolit.

Strukturat e Policisë Kufitare proceduan penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Tiranë – Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet një shtetas duke ngacmuar një shtetase, shërbimet e Policisë kryen verifikimet, identifikuan autorin, një 40-vjeçar që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, dhe pas shoqërimit në Komisariat kryen veprimet procedurale, duke referuar materialet në Prokurori, për vlerësim.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimat të plotë.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 13:50, në Spitalin Rajonal Shkodër, ka humbur jetën shtetasja D. P., 49 vjeçe, dyshohet si pasojë e konsumimit të një sasi të madhe medikamentesh, në banesë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.