Cërrik/Goditet një rast i krimeve kundër mjedisit, me pasoja devijimin e rrjedhës së lumit Devoll dhe rrezikimin e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Arrestohen 2 punonjës në subjektin për llogari të të cilit kryhej gërryerja e shtratit të lumit.
Shpallet në kërkim një 22-vjeçar, administrator i subjektit.
Në pranga dhe 1 shtetas (i afërm i 22-vjeçarit) që kishte ndërtuar pa leje në afërsi të vendndodhjes së subjektit.
Sekuestrohen 1 ekskavator dhe 1 kamion teknologjik, që përdoreshin për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, si dhe administrimit të shqetësimeve të qytetarëve, për subjekte që dyshohet se kryejnë krime kundër mjedisit dhe/ose cenojnë regjimin juridik të tokës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik goditën një rast në këtë fushë, me pasoja në lumin Devoll. Për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç (shtetas indian), banues në Cërrik dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës;
-u shpall në kërkim shtetasi shtetasi K. H., 22 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se për llogari të subjektit që administronte 22-vjeçari dhe kishte të punësuar shtetasit L. X. dhe L. B., gërryhej me mjete të rënda, shtrati i lumit Devoll, veprimtari nga e cila ishte devijuar rrjedha e lumit dhe rrezikohej përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Gjithashtu, nga këto veprime rezultoi se subjekti e kryente gërryerjen jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që kishte për këtë veprimtari.
Përveç ndëshkimit penal për shtetasit përgjegjës, subjekti u ndëshkua dhe administrativisht nga strukturat kompetente të IKMT, Tiranë, dhe IMT, Cërrik.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se 46-vjeçari kishte ndërtuar pa leje, në afërsi të zonës ku ndodhej subjekti që administronte i afërmi i tij, shtetasi K. H..
Punohet intensivisht për kapjen e 22-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


