Fier
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi një automjet, kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti i vjedhur, i cili u gjet i fshehur në banesën e një 46-vjeçari që dyshohet se ka ndihmuar 44-vjeçarin, duke e mbajtur në banesë.
Punohet për kapjen e 46-vjeçarit i cili gjithashtu ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Pas kallëzimit të një shtetasi se i kishin vjedhur automjetin e parkuar në lagjen “Konferenca e Pezës”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, operacioni i koduar “Itinerari”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi O. B., 44 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se më datë 27.07.2026, në lagjen “Konferenca e Pezës”, Fier, ka vjedhur automjetin e shtetasit A. Xh., 25 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi O. B. e ka kryer këtë vepër penale pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Fierit, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi I. D., 46 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar, duke e mbajtur në banesën e tij, bashkë me automjetin e vjedhur. Ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhje”. Po punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
