Himarë
Kreu manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokuan mjetin lundrues Jet Ski.
Ndëshkohet me gjobë 10 000 lekë të rinj drejtuesi i një mjeti lundrues për shkelje të rregullave të lundrimit.
Në vijim të kontrolleve intensive për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë Kufitare u sinjalizuan nga qytetarë që po pushonin në Gjirin e Livadhit se një mjet lundrues Jet Ski po kryente manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare evidentuan në Gjirin e Livadhit mjetin lundrues Jet Ski, me drejtues shtetasin A. L., banues në Tiranë. Mjeti ishte raportuar nga pushuesit pranë Policisë Kufitare dhe pamjet e tij ishin publikuar edhe në rrjetin social JOQ.
Gjatë kontrollit rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm. Për këtë shkelje, ai u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit.
