Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, operacionale dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione policore në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave, goditjes së veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit dhe kapjes së personave në kërkim ndërkombëtar. Gjatë këtyre operacioneve u vunë në pranga 4 shtetas, si dhe u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 laptop, 1 DVR, 5 aparate celularë dhe 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Falë veprimeve të shpejta hetimore u zbardh ngjarja ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 22-vjeçar, në Sanxhak, Kurbin. U identifikua autori i dyshuar dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Janë kapur/ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej të cilëve ishte i dënuar për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar, 8 të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste, me 3 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 autor në kërkim. Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas për kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë dhe 1 shtetas për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Është arrestuar 1 shtetas për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor në kërkim, ndërsa për 3 raste vijon puna për identifikimin e autorëve. Ndërkohë në Vlorë është arrestuar  në flagrancë shtetasi A. M., 35 vjeç, banues në fshatin Bashaj, Selenicë pasi vendosi zjarr qëllimisht në kullotën e një shtetasi, në vendin e quajtur “Bregu i Bullës”, në fshatin Bashaj.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar, 4 të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër mjedisit, me 1 autor të arrestuar dhe 3 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste vjedhjeje, me 1 autor të arrestuar dhe 7 të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në total, janë proceduar penalisht 31 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Nga strukturat e Policisë Rrugore janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 13 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Informacion paraprak.

Rreth orës 10:30, në fshatin Gurras, Pogradec, gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë të rrjetit elektrik, shtetasi A. B., 57 vjeç, me profesion elektricist, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe, për pasojë, ka humbur jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.

 

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe anonimitet të plotë.