Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe i kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione policore, për goditjen e mashtrimit, armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë operacioneve janë vënë në pranga 5 shtetas, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi lëndësh narkotike Cannabis dhe Kokainë.
Gjithashtu, janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. U sekuestruan sasi kokaine dhe cannabisi, si dhe bimë të dyshuara narkotike.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas për përndjekje dhe 1 tjetër, pasi kanosi me mjet prerës një shtetase. U ndalua me iniciativë 1 shtetas dhe u procedua penalisht 1 tjetër, për 2 raste të ngacmimit seksual.
Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas, pasi në rrugën “Jordan Misja”, dyshohet për motive të dobëta, 3 prej tyre kanë goditur, kanosur dhe u kanë thyer xhamat e lokalit një shtetasi, ndërsa 2 të tjerët kanë dëmtuar xhamin e automjetit të njërit prej të përfshirëve në konflikt(rast i publikuar dhe në rrjetet sociale).
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërkohë që për dy raste që dyshohet për të djegie të qëllimshme të automjeteve në Dibër e Bulqizë po punohet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes, me 1 autor të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 11 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe janë larguar nga vendi i aksidentit. Ndërkohë Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin D. D., 71 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Ditën e djeshme, rreth orës 10:15, në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, furgoni që ai drejtonte ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin A. H., 75 vjeç, këmbësor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Tiranë/Më datë 24.07.2026, rreth orës 23:55, në rrugën “Dora D’Istria”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e pallatit ku banonte një 38-vjeçare, e cila si pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Pogradec/Ka kallëzuar shtetasja E. R., se është larguar nga banesa nipi i saj, shtetasi N. M., 25 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.
Elbasan/Ka kallëzuar shtetasi S. M., 69 vjeç, se më datë 22.07.2026 është larguar nga banesa vajza e tij 14 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
