Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në akset rrugore, me qëllim parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në timon dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Si rezultat i kontrolleve, janë vendosur 4 255 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë arrestuar 8 drejtues automjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi.
Gjatë monitorimeve janë evidentuar raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, parkimeve të gabuara dhe shkeljeve të tjera që cenojnë sigurinë rrugore.
Në zonat urbane janë vendosur 1 530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa me përdorimin e mjeteve ngritëse të Policisë së Shtetit janë larguar automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe në trotuare, të cilat pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Në akset rrugore nacionale janë vendosur 1 331 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, një nga faktorët kryesorë që ndikon në rëndimin e pasojave të aksidenteve rrugore.
Gjithashtu, janë ndëshkuar:
➡️ 332 drejtues për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
➡️ 126 drejtues për mosvendosje të rripit të sigurimit;
➡️ 66 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit;
➡️ 166 drejtues për parakalime të gabuara;
➡️ 27 drejtues për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
➡️ 11 drejtues për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane;
➡️ 494 drejtues për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve.
Drejtoria e Policisë Rrugore, duke marrë në konsideratë fluksin e shtuar të qarkullimit gjatë fundjavës drejt zonave bregdetare dhe turistike, ka shtuar prezencën e shërbimeve në terren, patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.
⚠️ Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
️ Shpejtësia, alkooli dhe sjelljet e pakujdesshme në timon rrezikojnë jetën. Parandalimi nis nga secili prej nesh.
