Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.

Janë kapur/ndaluar 10 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 8 raste në të gjithë territorin, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, me 1 autor të arrestuar, 14 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, një 52-vjeçare, e cila dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh.

Ndërkohë, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, një 18-vjeçar dhe po kryhen veprimet procedurale, pasi dyshohet se në Velipojë, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 22-vjeçare nga Kosova.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 11 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 4 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po punohet gjithashtu për identifikimin e 4 shtetasve, të cilët dyshohet se, rreth orës 01:10, në kërcënimin e një pistolete lodër, kanë marrë 3 pako në magazinat e një poste në Yrshek dhe janë larguar. Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën lodër që dyshohet se është përdorur nga autorët, si dhe në fshatin Kashar, lagjja “Sorraj”, është konstatuar duke u djegur një automjet që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, pasi dyshohet se, për shkak të detyrës, kanë goditur me grushte dhe kanë kanosur përgjegjësin e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Tokës në Bashkinë Tepelenë. Gjithashtu, është proceduar 1 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që janë larguar nga vendi i aksidentit.

Në Kukës, një drejtuese automjeti dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një subjekti. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar lehtë 2 fëmijët e saj, të moshave 10 dhe 7 vjeç, të cilët pasi morën ndihmën e nevojshme mjekësore, u larguan në banesë.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 2 shtetas në kërkim dhe kanë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim dokumentesh.

Vlorë / Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, shërbimet e Policisë Kufitare u njoftuan se rreth 1 milje larg bregut, në plazhin e Radhimës, një shtetase e huaj ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore në një mjet lundrues.

Shërbimet e Policisë lokalizuan mjetin lundrues, në bordin të cilit ndodheshin 14 persona, mes tyre edhe një shtetase finlandeze, 52 vjeçe. Ajo u transportua me urgjencë në breg, ku personeli mjekësor konstatoi se kishte humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.