Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 4 operacione policore, për vjedhjen, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kontrabandën dhe tregtimin e produkteve të markave luksoze, si dhe goditjen e organizimit të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufijtë në kundërshtim me ligjin. Gjatë operacioneve janë vënë në pranga 3 shtetas dhe 9 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 17 celularë, 10 njësi kompjuteri, 2 laptopë, 11 çanta dhe veshje luksoze, një shumë parash dhe 1 automjet.

Janë kapur/ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste në të gjithë territorin, 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 kryeplak fshati, për shpërdorim detyre, për një rast të kultivimit. U sekuestruan doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, u procedua penalisht një 54-vjeçar në Shkodër, pasi dyshohet se ka trafikuar, me qëllim shfrytëzimin për lypje, një 46-vjeçare me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike.

U arrestua 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas, pasi kanë kundërshtuar dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.

Është arrestuar 1 shtetas, pasi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, ka goditur me sende të forta një shtetas, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shpallur në kërkim 1 shtetas për përndjekje dhe 1 tjetër për plagosje të rëndë me dashje. Si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për pushtim toke, vetëgjyqësi dhe heqje të padrejtë të lirisë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 3 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, është shpallur në kërkim 1 shtetas, pasi ka thyer urdhrin e Gjykatës dhe ka hyrë në banesën e bashkëshortes së tij.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, me detyrë inxhinier në një subjekt ndërtimi, pasi ka ndotur rrugën publike gjatë zhvillimit të punimeve (rast i publikuar në rrjetet sociale).

Janë evidentuar 6 raste në fushën e vjedhjes, me 3 autorë të shpallur në kërkim, 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 53 shtetas, për vepra të ndryshme penale, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë arrestuar 1 shtetas për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe kanë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike.

Nga Interpol Tirana u ekstradua drejt Italisë shtetasi në kërkim ndërkombëtar E. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, sepse Gjykata e Apelit  e Firences, Itali, në vitin 2015, e ka dënuar me 11 vjet e 10 muaj burg, për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”.

Gjithashtu, u ekstradua për në Itali shtetasi në kërkim ndërkombëtar Y. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, sepse Gjykata e Apelit e Italisë, në vitin 2022, e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Njëkohësisht, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit L. X., 36 vjeç. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Krujë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2019, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kultivuar parcela me bimë narkotike Cannabis Sativa, në territorin e fshatit Shqezë, Krujë.

Gjithashtu, u krye ekstradimi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit R. T., 49 vjeç, banues në Berat, i kërkuar në vendin tonë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 16 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë me armë zjarri një shtetas.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt