Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Drejtues Vilson Bala
Përshëndetje,
Të nderuar gazetarë,
Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë konferencë të përbashkët me Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin.
Kjo konferencë është pjesë e angazhimit tonë për një komunikim të hapur, transparent dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët, nëpërmjet jush. Synimi ynë është t’i informojmë mbi situatën e rendit dhe sigurisë publike në qarkun e Korçës, rezultatet e punës së strukturave tona, sfidat me të cilat përballemi dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Fillimisht do t’ju prezantoj rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për periudhën maj-qershor. Më pas do t’ia kaloj fjalën Drejtorit Vendor për Kufirin dhe Migracionin. Në përfundim do të jemi të gatshëm t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja.
Veprimtaria e strukturave tona është përqendruar në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, rritjen e sigurisë publike dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin.
Janë evidentuar gjithsej 380 vepra penale, janë zbuluar 376, ose 98.94% e tyre, me 369 autorë, nga të cilët 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.
Nga këto, 87 vepra penale, ose rreth 23%, janë krime kundër personit, kryesisht plagosje e lehtë me dashje dhe kanosje. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur 1 vrasje, 4 vrasje të mbetura në tentativë dhe 2 plagosje të rënda me dashje.
Një ndër prioritetet tona ka qenë parandalimi dhe zbulimi i vjedhjeve, si një nga veprat penale që prek drejtpërdrejt qytetarët.
Janë evidentuar 13 vjedhje, nga të cilat 12 janë zbuluar, rezultat që është mbi 2.5 herë më i mirë se objektivi i përcaktuar në fillim të vitit.
Goditja e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve ka qenë gjithashtu prioritet. Janë evidentuar 16 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 22 autorë të proceduar. Paralelisht është punuar intensivisht për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, me kontrolle të përditshme në territor. Është konstatuar një rast në bodrumin e një banese në fshatin Vreshtas, ku u gjetën dhjetëra bimë cannabis në proces tharjeje, si dhe dy raste të tjera me një sasi farash të bimës narkotike cannabis sativa.
Gjatë kësaj periudhe janë kapur 15 persona në kërkim.
Për goditjen e veprimtarisë kriminale janë zhvilluar gjithsej 8 operacione policore, në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve dhe kapjes së personave në kërkim. Si rezultat janë arrestuar 10 persona, 1 është proceduar në gjendje të lirë, 4 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, rreth 5.5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, si dhe pajisje e sende të tjera të përdorura për veprimtari kriminale.
Operacionet e zhvilluara janë: “Vreshtasi”, “Lumalasi”, “Trigger X”, “Dishnica”, “Lozhani”, “Wanted”, operacioni për zbardhjen e një vrasjeje të mbetur në tentativë në Pogradec dhe operacioni “Shop” për goditjen e vjedhjeve.
Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar garantimit të sigurisë në institucionet arsimore. Falë pranisë së vazhdueshme të punonjësve të Policisë dhe bashkëpunimit me drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit, është bërë i mundur parandalimi i çdo ngjarjeje apo incidenti në ambientet shkollore.
Problematike gjatë kësaj periudhe ka qenë numri i lartë i konflikteve, 510 raste, të cilat përbëjnë premisë për kryerjen e veprave penale kundër personit. Po ashtu janë evidentuar 42 raste të dhunës në familje dhe janë trajtuar 44 raste me urdhër mbrojtjeje.
Në drejtim të sigurisë rrugore janë evidentuar gjithsej 43 vepra penale, nga të cilat 19 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe 24 për drejtim të parregullt të automjeteve, me 30 persona të arrestuar dhe 15 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë vendosur gjithsej 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi, janë sekuestruar 3 mjete dhe janë ndaluar administrativisht 6 mjete.
Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 18 aksidente me pasoja, kanë humbur jetën 5 persona, 1 person është dëmtuar rëndë dhe 20 persona janë dëmtuar lehtë.
Për periudhën në vazhdim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë do të vijojnë punën me prioritet në disa drejtime kryesore, ku bashkëpunimi dhe mbështetja e qytetarëve mbetet një element kyç për arritjen e rezultateve dhe konkretisht në drejtim të:
• Garantimit të rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror turistik.
• Parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
• Bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror, kryesisht të zjarreve në pyje dhe kullota.
• Goditjen e armëmbajtjes pa leje, jo vetëm të armëve të zjarrit, por edhe të armëve të ftohta, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e krimeve kundër personit kryhen me mjete të tilla.
• Parandalimin e aksidenteve rrugore nëpërmjet kontrolleve me mjete inteligjente si dhe masave ndëshkuese ndaj shkeljeve që përbëjnë burim aksidenti, si tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara, si dhe parkimi apo qëndrimi i gabuar i mjeteve.
• Marrjes së masave për garantimin e zhvillimit normal të aktiviteteve masive, kulturore, fetare dhe argëtuese që zhvillohen gjatë sezonit veror.
• Bashkëpunimit dhe mbështetjes së autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik dhe kontrollit ushqimor, për parandalimin e rasteve të helmimeve apo problematikave që lidhen me sigurinë ushqimore.
• Parandalimin e ndotjes akustike dhe prishjes së qetësisë publike nga subjektet apo aktivitetet që prodhojnë zhurma mbi nivelet e lejuara.
Të nderuar qytetarë,
Dëshiroj t’ju siguroj se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.
Rezultatet që arrijmë janë fryt i punës së përkushtuar të strukturave të Policisë, por edhe i bashkëpunimit me ju, median e agjencitë ligjzbatuese.
Policia e qarkut Korcë ju fton të vijoni të denonconi çdo rast paligjshmërie, çdo shqetësim apo çdo sjellje të papërshtatshme të punonjësve të Policisë.
Çdo informacion i dhënë prej jush so trajtohet me seriozitet dhe do ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në qarkun tonë.
Besoni te Policia e Shtetit dhe mbështeteni atë, sepse vetëm përmes bashkëpunimit arrijmë të përmirësojmë akoma më shumë parametrat e sigurisë.
Të nderuar gazetarë, këto ishin disa nga rezultatet dhe problematikat kryesore të evidentuara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për periudhën maj-qershor.
Tani i kaloj fjalën Drejtorit Vendor për Kufirin dhe Migracionin, z. Gëzim Zhupa.
Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë Drejtues Gëzim Zhupa.
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar qytetarë,
Qarku i Korçës, si një nga portat kryesore hyrëse të juglindjes së vendit dhe njëkohësisht një nga destinacionet më të frekuentuara turistike, kërkon një angazhim të shtuar të strukturave të Policisë Kufitare për garantimin e sigurisë, menaxhimin e flukseve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.
Për këtë arsye, strukturat e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë forcuar masat organizative dhe kapacitetet operacionale, duke garantuar gatishmëri të plotë të shërbimeve në të gjitha drejtimet e veprimtarisë policore kufitare.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kontrollon dhe monitoron një vijë kufitare me gjatësi 228 kilometra, nga të cilat:
145 kilometra me Republikën e Greqisë;
83 kilometra me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kjo vijë kufitare përfshin:
186 kilometra kufi tokësor me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut;
34 kilometra kufi liqenor me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut;
8 kilometra kufi lumor me Greqinë.
Pavarësisht shtrirjes së konsiderueshme të kufirit, strukturat e Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht për:
-parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, autoritetet doganore dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese;
-garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, duke shtuar kapacitetet e shërbimit në rastet e flukseve dhe duke bashkëpunuar me homologët grekë dhe të Maqedonisë së Veriut, si për rritjen e sporteleve dhe menaxhimin e njëtrajtshëm të hyrje-daljeve, ashtu edhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare;
-rritjen e bashkëpunimit me agjencinë Frontex, me qëllim koordinimin e veprimeve për parandalimin e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, të cilët tentojnë të kalojnë kufirin e gjelbër me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Duke qenë se periudha e analizuar përkon me nisjen e sezonit turistik veror 2026, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka ndërmarrë dhe po zbaton një sërë masash konkrete për menaxhimin e flukseve në 4 Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë në hapësirat liqenore.
Gjatë muajve maj-qershor 2026, në Pikat e Kalimit Kufitar që mbikëqyren nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, janë përpunuar:
889 138 shtetas dhe 344 646 automjete.
Mesatarja ditore ka qenë 14 576 shtetas dhe 5 650 automjete.
Konkretisht:
Në muajin maj 2026, janë përpunuar 446 173 shtetas dhe 173 642 automjete.
Në muajin qershor 2026, janë përpunuar 445 531 shtetas dhe 172 035 automjete.
Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 16 424 shtetas dhe 5 878 automjete, më datë 14.06.2026.
Për përballimin e këtij fluksi janë shtuar kapacitetet e shërbimit në të 4 Pikat e Kalimit Kufitar, duke shtuar nga dy sportele, një në hyrje dhe një në dalje, si dhe nga një sportel të dedikuar vetëm për autobusët.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar garantimit të sigurisë në plazhin e Pogradecit dhe në hapësirat liqenore të Prespës. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse po monitorohet respektimi i kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit, funksionimi i perimetrit të sigurisë, prania e vrojtuesve të plazhit dhe zbatimi i rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese.
Nga ana jonë vijon bashkëpunimi i ngushtë me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë liqenore.
Për realizimin e detyrave gjatë sezonit turistik janë angazhuar 127 punonjës policie. Përgjatë vijës liqenore janë angazhuar 15 punonjës policie, 2 drejtues shërbimi, 13 patrulla ujore me mjete lundruese jet ski dhe skaf, si dhe vijon monitorimi i vazhdueshëm nga toka dhe nga ajri, nëpërmjet përdorimit të dronëve.
Çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve trajtohet me zero tolerancë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Paralelisht me masat e sigurisë kufitare, Sektori i Migracionit ka vijuar punën për administrimin e migracionit të ligjshëm dhe trajtimin e rasteve të migracionit të parregullt.
Për periudhën maj-qershor 2026, janë regjistruar 93 aplikime online për leje qëndrimi nëpërmjet sistemit e-Albania.
Janë procesuar 25 praktika aplikimi, ndërsa janë miratuar 34 leje qëndrimi. Gjithashtu, 48 shtetas të huaj kanë aplikuar për pajisje me leje biometrike.
Në fushën e migracionit të parregullt, për periudhën maj-qershor 2026, janë kapur dhe trajtuar 47 shtetas të huaj, kryesisht nga Sudani, Egjipti dhe Maroku.
Të gjithë këta shtetas janë trajtuar sipas procedurave ligjore, nga të cilët:
8 shtetas janë trajtuar me Urdhër Dëbimi, pasi nuk plotësonin kushtet e qëndrimit në territorin shqiptar;
39 shtetas janë trajtuar dhe pajisur me Urdhër Largimi Vullnetar.
Për përballimin e të gjitha detyrave operacionale, kufitare dhe migratore, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka në dispozicion 270 punonjës policie, të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për garantimin e sigurisë kufitare, rendit publik dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në kuadër të veprimtarisë policore të ushtruar gjatë periudhës maj-qershor 2026, janë evidentuar dhe referuar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, materiale procedurale për 43 vepra penale, me 38 autorë, nga të cilët:
6 autorë janë arrestuar në flagrancë;
30 autorë ndiqen në gjendje të lirë;
2 autorë ndiqen me metoda speciale të hetimit.
Veprat penale të evidentuara janë:
8 raste të kontrabandës në kufi;
1 rast në fushën e narkotikëve në dalje të PKK Kapshticë;
1 rast në fushën e trafiqeve të paligjshme, ku është sekuestruar një automjet i shpallur në kërkim, i vjedhur në Suedi;
1 rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, ku janë sekuestruar euro dhe dollarë mbi sasinë e lejuar;
4 raste të falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve në kufi;
2 raste të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit;
16 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror;
1 rast në fushën e krimeve kundër mjedisit, për prerje të paligjshme të pyjeve;
2 raste për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe ushtrim të aktivitetit tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar.
Gjithashtu, gjatë muajit qershor 2026, është bërë bllokimi i një mjeti lundrues jet ski dhe është vendosur një masë administrative, me gjobë në vlerën 200 000 lekë, për shkelje të perimetrit të sigurisë në liqen.
Për periudhën maj-qershor 2026, janë kryer 1 746 telefonata në strukturat tona, kryesisht për informacione mbi procedurat e lejeve të qëndrimit, masat administrative dhe flukset në Pikat e Kalimit Kufitar.
Në kuadër të kontrolleve të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë muajve maj-qershor janë ushtruar 1 997 kontrolle, ku janë kontrolluar 2 292 ambiente të hapura dhe 2 672 ambiente të mbyllura në vijën kufitare.
Deri më sot nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike në zonën kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, por kontrollet dhe monitorimi i territorit vijojnë intensivisht.
Ndërkohë, vijon kontrolli dhe monitorimi i vazhdueshëm në kufirin e gjelbër dhe kufirin liqenor, me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme, trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës dhe çdo veprimtarie tjetër kriminale ndërkufitare.
Kjo punë realizohet në bashkëpunim të ngushtë me agjencinë Frontex, duke përdorur pajisje bashkëkohore monitorimi, si dronë për vëzhgim ajror, mjete për vëzhgim në kushte të kufizuara të dukshmërisë, motoçikleta tokësore për terrene të vështira, skanerë portabël, automjete dhe pajisje të tjera mbështetëse.
Në përfundim, apelojmë të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të tyre, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të shmangin lundrimin pranë zonave të pushuesve, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit dhe turistët se Policia Kufitare vijon të jetë 24 orë në 24 në terren, për të garantuar sigurinë, shërbim cilësor në çdo pikë kalimi kufitar dhe reagim të shpejtë ndaj çdo situate që kërkon ndërhyrjen tonë.
Ftojmë qytetarët dhe median të vijojnë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo çdo situatë që cenon sigurinë publike.
Çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet menjëherë, me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet.
Ju falënderojmë për vëmendjen dhe ju urojmë një sezon veror të mbarë!
Pas prezantimit do të jemi të gatshëm t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja.
Ju falënderojmë dhe ju urojmë fundjavë të mbarë
