Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione për goditjen e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe për kapjen e një personi në kërkim ndërkombëtar i dënuar me 13 vite burg. Janë vënë në pranga 9 shtetas, janë sekuestruar qindra doza lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe qindra bimë kanabisi të kultivuara.

Janë kapur/ndaluar 5 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve, krahas tre operacioneve të zhvilluara, janë evidentuar edhe 9 raste të tjera në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim.

U arrestua në flagrancë administratori i një subjekti, shtetasi K. Z., 64 vjeç, për shkelje të rregullave në punë, pasi dje, në vendin e quajtur “Qafa e Dëllinjës”, pranë fshatit Kurtes, Kolonjë, gjatë ngarkimit të lëndës drusore (trungje ahu) në një kamion, janë shkëputur nga karroceria e mjetit dy trungje, të cilët kanë zënë poshtë shtetasin S. Y., 34 vjeç, banues në Pogradec, i cili ka humbur jetën.

Po për shkelje të rregullave në punë u procedua penalisht edhe një 57-vjeçar, pasi është dëmtuar në dorë, jashtë rrezikut për jetën, një 58-vjeçar që ai kishte marrë për të kryer punime në banesën e tij.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 3 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e lojërave të fatit, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për falsifikim të letërnjoftimeve.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

-Klos/Vijojnë kërkimet për gjetjen e 48-vjeçarit.
Pasditen e djeshme, është marrë njoftim se shtetasi E. L., dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit, në vendin e quajtur Ura e Vashës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës dhe polumbarët e RENEA-s, nisën kërkimet për gjetjen e tij. Deri në këto momente, shtetasi E. L. nuk është gjetur dhe kërkimet vijojnë.

-Berat / Informacion paraprak
Në fshatin Orizaj, gjatë kohës që po lahej në lumë, dyshohet se është mbytur aksidentalisht një 15-vjeçar, banues në Orizaj, Berat. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.