Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe zhvillimin e operacioneve të njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
U finalizuan 3 operacione: 1 për kapjen e 2 shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut; 2 për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të prostitucionit (u arrestuan 2 shtetas, u shpall në kërkim 1, si dhe u sekuestrua një sasi kokaine).
Janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 8 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U sekuestruan sasi/fara të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan një numër i madh bimësh narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste, me 2 autorë të arrrestuar, 19 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, u zbardh dhe u dokumentua autorësia e vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme, në Kurbin. U identifikua autori kryesor i dyshuar i krimit dhe po punohet për kapjen e tij.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është arrestuar 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 15 raste, me 3 autorë të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë një 38-vjeçar, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë me dhunë në banesën e një shtetaseje të moshuar, në Vlorë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta fizike.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të organizimit të lojërave të fatit, me 1 autor të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë për 6 shtetas (3 “Arrest në shtëpi” dhe 3 “Detyrim paraqitjeje”), ndërsa vijon puna për kapjen e 4 shtetasve të tjerë, të cilëve iu është caktuar masa “Arrest në burg”. Masat janë caktuar nga Gjykata e Durrësit, në kuadër të një procedimi për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Janë proceduar në gjendje 8 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor/larrgim nga vendi i aksidentit.
Interpol Tirana/U ekstradua nga Gjermania, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, të cilit Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ”Shkatërrimi i pronës” dhe ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
