Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe zhvillimin e operacioneve të njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u finalizuan 5 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e armëmbajtjes pa leje, prostitucionit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve. U vunë në pranga 8 shtetas dhe u sekuestruan 4 armë zjarri, 1 armë gjahu, 1 granatë, municion luftarak, 4 jelekë antiplumb/multifunksionalë, 2 automjete, pajisje elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash.
Janë kapur/ndaluar 8 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 10 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan një numër i madh bimësh narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 16 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar, 10 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 17 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është arrestuar 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për mosbindje ndaj urdhrit dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 1 autor të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 7 raste të krimeve kundër mjedisit, me 1 autor të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u ekzekutuan masa sigurie për 11 shtetas, nga këto 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi” dhe 7 masa sigurie “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Janë proceduar në gjendje të lirë 42 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të shumave monetare.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
Korçë / Informacione paraprake
-Rreth orës 11:30, në lagjen nr. 14, shtetasi G. R., rreth 54 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin R. J., rreth 40 vjeç. Shtetasi R. J. është transportuar në spital dhe është në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin G. R., dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
-Rreth orës 12:30, në lagjen nr. 15, shtetasi A. B., 84 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku banon dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
