Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale u finalizuan 2 operacione, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të krimeve kibernetike.

Janë kapur/ndaluar 6 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 10 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për disa nga rastet pa autor, u proceduan penalisht 3 kryepleqtë e 3 fshatrave, për shpërdorim detyre/moskallëzim krimi.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 21 raste, me 3 autorë të arrestuar, 21 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikim dhe kapjen e autorëve. U arrestua një 17-vjeçar, pasi dyshohet se ka goditur me mjet prerës, xhaxhanë e tij, i cili është në kujdesin e mjekëve.

U arrestua një 39-vjeçar, pasi dyshohet se ka mbajtur me forcë, në banesë, vëllanë e tij dhe një shok, duke i kanosur. Në momentin e mbërritjes së Policisë, 39-vjeçari ka hedhur sende të ndryshme nga dritarja e banesës dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të dalë nga banesa.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 12 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve eknomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike/kompjuterike janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kontrabandë mallrash dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Interpol Tirana/U ekstradua në Poloni, 1 shtetas polak në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lodz, Poloni, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Gjithashtu, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Kosovë, 1 shtetas i shpallur në kërkim, të cilin Gjykata e Apelit Prishtinë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Rrëmbim personi”.
U arrestua me qëllim ekstradimin në Kosovë, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, të cilin Gjykata e Ferizaj, Kosovë, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
U ekzekutua vendimi penal, pas ekstradimit nga Greqia, për 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, të cilin Gjykata e Beratit e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

Reagim/DVP Fier – Në lidhje me një denoncim në portalin “JOQ”, për veprimet e kryera nga Policia, për një aksident rrugor, bëjmë me dije se 18-vjeçari që drejtonte automjetin që ka përplasur shtetasen e mitur, më datë 01.07.2026, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, është arrestuar nga shërbimet e Policisë, në orët e para të mëngjesit të datës 02.07.2026. Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Krujë/Informacion paraprak – Rreth orës 02:40, në lagjen “Gurakuqi”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse në automjetin në pronësi të shtetasit D. G., 60 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.