Kanosën me mjete prerëse, poseduesit e banesës, ku vodhën një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë, vihen në pranga 2 shtetas.
Identifikohet dhe bashkëpunëtori i tyre. Punohet për kapjen e tij.
Sekuestrohen 900 euro dhe 4 celularë, dyshohet të vjedhura.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera pas njoftimit se në banesën e 2 shtetasve, në rrugën “Gjon Buzuku”, në mesnatë, më datë 23 qershor 2026, ishin vjedhur nëpërmjet kanosjes me mjete prerëse, një shumë parash dhe 4 celularë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Doorbell”.
Në kuadër të operacionit u kapën në zonën e quajtur “Alliasi”, dhe u vunë në pranga bashkautorët e dyshuar, shtetasit E. S., 20 vjeç dhe K. K., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi Xh. T., 21 vjeç.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur me disa mjete prerëse, 2 poseduesit e banesës në rrugën “Gjon Buzuku”, për të vjedhur aty, një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë.
Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, në të cilën mund të jenë përfshirë këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
