Vlorë
U konfliktua me punonjësit e një firme që po kryente punime për shtrimin e rrugës së fshatit, i vuri zjarrin një automjeti dhe qëlloi me armë gjahu në ajër, duke kanosur punonjësit, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit.
Kapet dhe shoqërohet në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, 35-vjeçari.
Në fshatin Panaja, Vlorë, dyshohet se shtetasi E. A., 35 vjeç, banues në këtë fshat, pas një konflikti për motive të dobëta me punonjës të një subjekti privat që po kryente punime për shtrimin e rrugës së fshatit, ka qëlluar në ajër me një armë gjahu dhe më pas i ka vënë zjarrin një automjeti kamionçinë në pronësi të këtij subjekti.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar, shtetasin E. A. Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
