Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 7 operacione, për goditjen e veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme. Gjatë operacioneve janë arrestuar/ndaluar 14 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 62 shtetas, si dhe janë sekuestruar lëndë narkotike Kokainë, Heroinë dhe Cannabis Sativa, 4 gurë të dyshuar të çmuar (diamantë), pajisje kompjuterike, pajisje për lojëra fati, automjete, celularë dhe shuma parash.
Janë kapur 5 shtetas në kërkim për kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, dhunë në familje, mashtrim, krime kundër pronës dhe mjedisit.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim, ndërsa për 10 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, si dhe janë asgjësuar rreth 8700 fidanë dhe bimë narkotike Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, me 3 autorë të arrestuar, 9 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas pasi mbrëmjen e djeshme, ka plagosur me thikë, një 26-vjeçar, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 48 160 euro dhe 7200 dollarë të dyshuara të falsifikuara.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 7 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të arrestuar, 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kibernetike, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 9 raste, me 1 autor të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 3 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 3 shtetas, për kontrabandë mallrash/kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
Gjirokastër/Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për rastin në një kompleks pushimi në fshatin Mashkullorë, ku humbi jetën një 15-vjeçar, duke u larë në pishinë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin E. K., 47 vjeç, banues në Gjirokastër, administrator dhe roje sigurie në këtë kompleks.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:15, në lagjen “Pavarësia”, shtetasja A. B., 28 vjeçe, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
