Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, është finalizuar 1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Gjatë operacionit u arrestua 1 shtetas dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak dhe 1 granatë ofensive.
Janë kapur 5 shtetas në kërkim për dhunë në familje, falsifikim dokumentesh, kalim të paligjshëm të kufirit, moskallëzim krimi dhe vjedhje.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar, 15 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, si dhe janë asgjësuar rreth 1170 fidanë dhe bimë narkotike Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, me 2 autorë të arrestuar, 9 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 7 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar, 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast mashtrimi po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 6 raste, me 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e një shtetasi i cili dyshohet se i ka marrë pronarit të një lokali, një shumë parash dhe një varëse floriri, duke e kanosur me thikë.
Janë evidentuar 10 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjithashtu, po punohet për kapjen dhe shoqërimin e një shtetasi që dyshohet se ka kanosur dhe goditur me grusht drejtorin e një institucioni shtetëror.
Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 11 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 3 shtetas, për mosdeklarim të shumave monetare.
-U ekstradua në Spanjë, 1 shtetas i akuzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë La Seu de Urgell, Spanjë, për veprat penale “Mashtrime në rrethana rënduese”, “Krime kibernetike”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale”.
-U ekstradua nga Gjermania, 1 shtetas të cilit Gjykata e Korçës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Në lidhje me kallëzimin e bërë nga një shtetase turke, për largimin nga banesa në Tiranë, të shokut të saj turk 24 vjeç, dhe humbjen e kontakteve me të, bëjmë me dije se 24-vjeçari është shtruar në spitalin psikiatrik nr. 5 dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale për rastin u referuan në Prokurori, për vlerësim.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
Gjirokastër/Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në fshatin Mashkullorë, në një kompleks pushimi, një 15-vjeçar dyshohet se ka pësuar infarkt duke u larë në pishinë dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
